Skip to content

Pse fëmija nuk flet ende? Komunikimi sipas moshës dhe kur të kërkoni ndihmë

Nëna duke komunikuar dhe luajtur me fëmijën e vogël

“Fëmija im i ka dy vjet dhe ende nuk flet.”

“I kupton të gjitha, por nuk po fillon t’i thotë fjalët.”

“A duhet të presim deri në moshën trevjeçare?”

Këto janë disa nga shqetësimet që prindërit i kanë kur vërejnë se fëmija i tyre nuk po flet si bashkëmoshatarët.

Është e vërtetë që fëmijët zhvillohen me ritme të ndryshme. Megjithatë, ekzistojnë disa aftësi që pritet të shfaqen në mosha të caktuara dhe që na ndihmojnë të kuptojmë nëse fëmija ka nevojë për mbështetje.

Komunikimi fillon para fjalëve të para

Fëmija komunikon shumë kohë para se të fillojë të flasë. Ai përdor shikimin, tingujt, buzëqeshjen dhe gjestet për të shprehur nevojat dhe interesimet e tij.

Për shembull, kur fëmija e tregon me gisht një lodër dhe e shikon prindin, ai po komunikon edhe pse ende nuk e thotë emrin e lodrës.

Prandaj, nuk është e rëndësishme vetëm sa fjalë thotë fëmija, por edhe sa kupton dhe si komunikon me njerëzit përreth.

Disa fëmijë kuptojnë shumë më tepër sesa arrijnë të shprehin, ndërsa të tjerë mund të kenë vështirësi edhe në kuptimin e gjuhës. Për këtë arsye, kur vlerësohet zhvillimi i gjuhës dhe komunikimit, merren parasysh të dyja këto aftësi.

Çfarë pritet nga zhvillimi i gjuhës sipas moshës?

Rreth moshës 12 muajsh: Fëmija zakonisht përdor fjalë si “mama” ose “baba”, komunikon përmes gjesteve dhe fillon të kuptojë fjalë të njohura.

Rreth moshës 18 muajsh: Shumica e fëmijëve përpiqen të thonë të paktën tri fjalë të tjera përveç “mama” dhe “baba” dhe mund të ndjekin udhëzime të thjeshta pa ndihmën e gjesteve.

Rreth moshës 2 vjeç: Fëmija zakonisht fillon të bashkojë dy fjalë, si “dua ujë” ose “mami hajde”, dhe mund të tregojë disa pjesë të trupit kur pyetet.

Rreth moshës 3 vjeç: Fëmija zakonisht përdor fjali më të gjata, bën pyetje dhe zhvillon biseda të shkurtra. Të folurit e tij kuptohet nga të tjerët në shumicën e rasteve.

Këto janë pika orientuese të zhvillimit sipas moshës, jo kritere për vendosjen e një diagnoze. Megjithatë, nëse fëmija nuk po i arrin këto aftësi, është e rëndësishme të kuptohet arsyeja.

Pse disa fëmijë fillojnë të flasin më vonë?

Vonesa në të folur mund të ketë shkaqe të ndryshme. Në disa raste, fëmija ka vështirësi kryesisht në përdorimin e fjalëve, ndërsa në raste të tjera mund të ketë vështirësi edhe në kuptimin e gjuhës ose në fusha të tjera të zhvillimit.

Ndër shkaqet e mundshme janë vështirësitë në dëgjim, zhvillimin e gjuhës, shqiptimin e tingujve ose zhvillimin e përgjithshëm. Në disa raste, vonesa në të folur mund të shoqërohet edhe me vështirësi në komunikimin social, përfshirë ato që vërehen te fëmijët me autizëm.

Jo çdo fëmijë që vonohet në të folur ka autizëm. Për të kuptuar arsyen, duhet të vlerësohet zhvillimi i fëmijës në tërësi.

Përveç numrit të fjalëve, prindërit duhet t’u kushtojnë vëmendje edhe disa shenjave të tjera:

  • Fëmija nuk përdor gjeste për të kërkuar ose treguar diçka.
  • Nuk reagon rregullisht kur e thërrasim në emër.
  • Ka vështirësi të kuptojë udhëzime të thjeshta.
  • Ka pak përpjekje për të komunikuar ose për t’u përfshirë në ndërveprime.
  • Humb fjalë ose aftësi që i kishte fituar më parë.

Këto shenja nuk tregojnë domosdoshmërisht një diagnozë, por janë arsye për të kërkuar vlerësim profesional. Veçanërisht, humbja e aftësive të fituara më parë kërkon vlerësim pa vonesë.

A duhet të presim deri në moshën 3 vjeç?

Shpesh prindërve u thuhet: “Mos u shqetëso, do të flasë vetë.”

Disa fëmijë që fillojnë të flasin më vonë arrijnë t’i zhvillojnë aftësitë e gjuhës sipas moshës, por kjo nuk ndodh te të gjithë.

Prandaj, nëse ekzistojnë shqetësime për të folurit ose komunikimin, nuk rekomandohet të pritet deri në moshën trevjeçare pa kërkuar vlerësim.

Identifikimi i hershëm i vonesave në të folur ndihmon të kuptojmë nëse fëmija ka nevojë për mbështetje dhe çfarë lloj ndihme është më e përshtatshme për të.

Si mund ta ndihmojnë prindërit fëmijën?

Zhvillimi i gjuhës mund të mbështetet gjatë aktiviteteve të zakonshme të ditës.

  • Flisni gjatë rutinave. Përshkruani me fjalë të thjeshta atë që po bëni gjatë ushqyerjes, veshjes ose lojës.
  • Ndiqni interesimin e fëmijës. Përdorni lodrat dhe aktivitetet që i pëlqejnë për të krijuar mundësi komunikimi.
  • Jepini kohë të përgjigjet. Mos nxitoni t’i plotësoni fjalët ose kërkesat para se të ketë mundësi të reagojë.
  • Mos e detyroni t’i përsërisë fjalët vazhdimisht. Në vend të kësaj, emërtoni objektet dhe jepni modele të thjeshta të të folurit.
  • Pranoni përpjekjet për komunikim. Përgjigjuni edhe gjesteve, tingujve ose fjalëve të përafërta dhe zgjeroni natyrshëm atë që fëmija shpreh.

Këto mënyra të mbështetjes së komunikimit mund të përdoren gjatë përditshmërisë, por nuk e zëvendësojnë vlerësimin profesional kur ai është i nevojshëm.

Kur duhet të kërkoni ndihmë profesionale?

Nëse keni shqetësime për të folurit ose komunikimin e fëmijës, konsultohuni me pediatrin. Sipas nevojës, mund të rekomandohet kontroll i dëgjimit, vlerësim logopedik ose vlerësim më i gjerë zhvillimor.

Qëllimi nuk është vetëm të identifikohet një vështirësi, por të kuptohet çfarë di të bëjë fëmija dhe si mund të mbështetet më së miri.

Çdo fëmijë zhvillohet me ritmin e vet, por shqetësimet për zhvillimin e gjuhës nuk duhet të neglizhohen. Sa më herët të kuptohen nevojat e fëmijës, aq më herët mund t’i ofrohet mbështetja e përshtatshme.


Trekand Psikologji – Mbështetje për fëmijët dhe prindërit

Çdo fëmijë ka aftësi dhe nevoja të veçanta. T’i kuptojmë ato është hapi i parë drejt mbështetjes së duhur.

Në Trekand Psikologji, përmes këshillimit psikologjik dhe punës individuale me fëmijët, mbështesim zhvillimin e komunikimit, aftësive dhe pavarësisë në jetën e përditshme.

Për këshillim dhe informacione të tjera, na kontaktoni.

KëshillaTerapi
Back To Top