Kur fëmija “teston kufijtë”, shpesh keqkuptohet si sjellje sfiduese ose kundërshtim i qëllimshëm. Megjithatë, literatura shkencore në psikologjinë zhvillimore e përshkruan këtë sjellje si një pjesë thelbësore të procesit të ndërtimeve të autonomisë, vetëdijes dhe mësimit rreth vetes dhe botës shoqërore. Sipas teorisë së Erikson (1950), eksplorimi i kufijve është pjesë e fazave natyrore të zhvillimit psikosocial.
Fëmijët, veçanërisht nga mosha 2 deri në 10 vjeç, provojnë të kuptojnë se ku përfundon ajo që ata ndiejnë si “vetja e tyre” dhe ku fillojnë pritshmëritë dhe rregullat që vijnë nga të tjerët. Kjo bëhet përmes veprimeve që shpesh sfidojnë pritshmëritë e të rriturve. Qasja që kemi si prindër, edukatorë apo profesionistë ndikon ndjeshëm në mënyrën se si fëmija përvetëson normat dhe rregullat.
Kufijtë si strukturë që mbështet zhvillimin
Kufijtë nuk janë kufizim i lirisë, por mjete që ndihmojnë në organizimin e botës së brendshme dhe të jashtme të fëmijës. Janë elemente thelbësore për zhvillimin e:
- ndjenjës së sigurisë emocionale
- vetëkontrollit dhe rregullimit emocional
- aftësisë për bashkëjetesë sociale
Sipas Baumrind (1991) dhe Maccoby & Martin (1983), stilet e prindërimit autoritativ, që kombinojnë ngrohtësinë me strukturën, lidhen drejtpërdrejt me kompetenca më të larta sociale dhe akademike tek fëmijët.
Kufijtë e vendosur me ndjeshmëri dhe vazhdimësi
Për të qenë efektivë, kufijtë duhet të jenë:
- të qartë dhe të përseritur me konsistencë
- të komunikohen me ton të qetë dhe trup të rregulluar emocionalisht
- të përfshijnë validim emocional: “E kuptoj që do të luash edhe pak, por tani është koha për gjumë.”
Prindërimi që bazohet në lidhje dhe vetëdije, sipas (Siegel & Bryson, 2012) e sheh kufirin si mjet edukues, jo si formë kontrolli. Ky lloj komunikimi i ndihmon fëmijët të zhvillojnë mekanizma të brendshëm të vetërregullimit, dhe të ndihen të mbrojtur brenda strukturës, jo të kufizuar.
Ndëshkimi nuk sjell vetëdije, por shmangie
Hulumtimet në neuroshkencë tregojnë se ndëshkimi aktivizon sistemin e stresit dhe nuk krijon lidhje mes sjelljes dhe vetëpërgjegjshmërës (Shonkoff & Phillips, 2000). Në të kundërt, kufijtë e dhënë me qartësi dhe mbështetje ndihmojnë fëmijët të kuptojnë se sjellja e tyre ka pasoja, pa ndier turp apo braktisje.
Roli i profesionistit dhe mbështetja psikoedukative
Shumë prindër e gjejnë të vështirë të vendosin kufij pa e lidhur atë me ftohtësi ose ashpërsi. Këtu hyn puna e psikologut, që ndihmon prindërit të shohin kufijtë si formë lidhjeje dhe udhëheqjeje.
Në Trekand Psikologji, ofrojmë mbështetje prindërimi të orientuar nga:
- psikologjia zhvillimore bashkëkohore
- komunikimi emocional dhe qasja bashkëpunuese
- ndërtimi i mjediseve të sigurta dhe të strukturuara
Të vendosësh kufij me dashuri nuk do të thotë të kufizosh fëmijën. Do të thotë të krijosh korniza të sigurta që i ndihmojnë atë të rritet me ndjeshmëi, qartësi dhe përgjegjshmëri.

