Në botën e sotme, ku teknologjia zë një pjesë të madhe të ditës së fëmijëve, loja në ambiente natyrale shpesh anashkalohet ose kosiderohet thjesht si argëtim. Por psikologjia zhvillimore na kujton se loja është shumë më tepër: ajo është mënyra e natyrshme përmes së cilës fëmijët kuptojnë botën, shprehin ndjenjat dhe mësojnë si t’i përballojnë ato.
Loja është gjuha e parë e zhvillimit
Fëmijët nuk kanë gjithmonë fjalët për të përshkruar çfarë ndiejnë. Ndaj, ata përdorin lojën si mënyrë për të treguar përvojat e tyre. Që në fillimet e psikologjisë moderne, Jean Piaget (1951) e ka përshkruar lojën si “puna e fëmijës”, një proces aktiv ku fëmija eksperimenton, imagjinon dhe ndërton kuptim.
Por loja nuk është vetëm mënyrë për të mësuar rreth objekteve apo roleve. Psikanalistja Melanie Klein (1960) vuri re se fëmijët, ashtu si të rriturit në terapi, përdorin simbole, vetëm se ata e bëjnë këtë përmes lodrave dhe skenave të improvizuara. Në vend të fjalëve, ata krijojnë histori: një lodër që sëmuret, një përbindësh që mundet, një shtëpi që rrëzohet e ndërtohet përsëri. Brenda këtyre lojërave fshihet përvoja emocionale e tyre.
Përpunimi emocional përmes lojës
Kur një fëmijë rikrijon një ngjarje që e ka frikësuar, ai në fakt po përpiqet ta kuptojë atë, ta kontrollojë dhe t’i japë një përfundim ndryshe. Loja është vendi ku ndjenjat e forta marrin formë, trajtohen dhe shpesh zbuten. Landreth (2012), shpjegon se loja është mjet shprehjeje, eksplorimi dhe rritjeje, veçanërisht për ndjenja që fëmijët nuk arrijnë t’i shprehin drejtpërdrejt.
Përmes lojës truri i fëmijës përfiton më së shumti. Kur ndjenjat përpunohen përmes lojës simbolike (si kur fëmija ndërton, kujdeset për dikë në lojë apo fiton mbi një pengesë imagjinare), aktivizohen pjesë të trurit që ndihmojnë në vetërregullim emocional dhe ndërtimin e përvojave të sigurta. Russ (2014) thekson se loja simbolike ndihmon fëmijën të mësojë si të përballojë sfida, si të gjejë zgjidhje, dhe si të shprehë emocionin në mënyrë të pranueshme.
Çfarë ndodh kur loja mungon?
Fatkeqësisht, fëmijët sot kanë gjithnjë e më pak kohë për lojë të lirë. Sipas një raporti të American Academy of Pediatrics (2018), fëmijët në SHBA kalojnë mesatarisht mbi 7 orë në ditë me pajisje digjitale. Kjo kohë zë vendin e lojës aktive dhe krijuese, pikërisht asaj që ndihmon fëmijët të përpunojnë përvojat e tyre.
Përdorimi i teknologjisë nuk e zëvendëson dot lojën, sepse ekrani ofron stimuj të gatshëm, por nuk i lejon fëmijës të ndërtojë vetë përvojën e tij. Loja e lirë i jep fëmijës mundësinë të kontrollojë vetë historinë që krijon, ndërsa teknologjia shpesh i ofron një tregim të gatshëm. Pa këtë hapësirë personale për eksplorim, përpunimi emocional mbetet i pazhvilluar
Çfarë mund të bëjmë si të rritur?
Ne, si prindër, edukatorë apo profesionistë, mund të ndihmojmë fëmijët të kenë hapësirë për të përpunuar ndjenjat në mënyrë të shëndetshme:
-
Lejoni lojë të lirë pa rregulla të ngurta dhe pa ndërhyrje të shpeshta.
-
Qëndroni pranë, duke vëzhguar dhe duke ndjekur lojën e fëmijës me kureshtje, pa gjykim.
-
Krijoni një ambient të sigurt, ku fëmija ndjehet i lirë të shprehë ndjenja edhe kur janë të forta ose të vështira.
-
Kufizoni kohën para ekranit, që fëmija të ketë më shumë hapësirë për lojë dhe për të ndërtuar siguri emocionale.
Në Trekand Psikologji, loja është një udhë përmes së cilës fëmija mëson të kuptojë veten. Ne e mbështesim këtë proces me kujdes dhe përkushtim, duke ndihmuar fëmijët të ndërtojnë siguri emocionale që zgjat gjatë gjithë jetës.

