Skip to content

Dygjuhësia e fëmijëve shqipëtarë që rriten në gurbet: sfidë apo mundësi për zhvillim më të mirë?

Çfarë ndodh kur një fëmijë rritet mes dy gjuhëve?

Për shumë familje shqiptare që jetojnë jashtë Kosovës, Shqipërisë apo Maqedonisë së Veriut, dygjuhësia nuk është një zgjedhje, por një realitet i përditshëm. Fëmija dëgjon shqipen në shtëpi, ndërsa jashtë saj përballet me gjuhën e vendit ku jeton në çerdhe, shkollë, lojëra dhe marrëdhënie shoqërore. Kjo përvojë shpesh shoqërohet me pyetje të heshtura: a po e ngarkojmë fëmijën? A do të vonohet në të folur? A po humb diçka nga identiteti i tij? Hulumtimet shkencore tregojnë se këto shqetësime janë të kuptueshme, por jo domosdoshmërisht të bazuara në evidencë shkencore.

A e “ngatërron” dygjuhësia zhvillimin e fëmijës?

Një nga mitet më të përhapura është ideja se ekspozimi ndaj dy gjuhëve mund ta ngatërrojë fëmijën ose ta ngadalësojë zhvillimin e tij gjuhësor. Studime të shumta neuroshkencore dhe gjuhësore tregojnë se truri i fëmijës është i pajisur natyrshëm për të përpunuar më shumë se një gjuhë njëkohësisht. Fenomene si përzierja e gjuhëve apo përdorimi i fjalëve nga të dyja gjuhët në një fjali nuk janë shenja konfuzioni, por strategji komunikimi normale në zhvillimin dygjuhësh (Paradis, Genesee & Crago, 2021). Me kalimin e kohës dhe me ekspozim të qëndrueshëm, fëmijët arrijnë t’i diferencojnë qartë gjuhët sipas kontekstit.

Po identiteti? A mund të mbajë fëmija dy botë brenda vetes?

Fëmijët që rriten mes dy kulturave shpesh ndërtojnë një identitet kompleks, por të pasur. Shqiptarja ose shqiptari i vogël në gurbet mëson herët se bota nuk është njëdimensionale. Kur gjuha e nënës ruhet dhe vlerësohet, fëmija fiton një ndjenjë stabiliteti emocional dhe vetëbesimi. Studime në psikologjinë zhvillimore tregojnë se ruajtja e gjuhës familjare lidhet me marrëdhënie më të sigurta prind–fëmijë dhe mirëqenie emocionale afatgjatë (Tannenbaum & Berkovich, 2015).

Kur dhe pse dygjuhësia mund të bëhet sfiduese?

Edhe pse dygjuhësia në vetvete nuk është e dëmshme, ajo mund të bëhet e lodhshme për fëmijën kur rreth saj krijohet presion, pasiguri ose mesazhe kontradiktore. Vështirësitë shfaqen më shpesh kur gjuha e shtëpisë nënvlerësohet nga mjedisi i jashtëm, kur fëmija ndien se duhet të zgjedhë njërën gjuhë për t’u pranuar, ose kur pritjet e të rriturve janë shumë të larta dhe të ngarkuara me ankth. Në këto rrethana, disa fëmijë mund të hezitojnë të flasin, të duken më të tërhequr ose të lodhur nga komunikimi. Këto reagime nuk lidhen me dy gjuhët, por me ngarkesën emocionale që krijohet rreth tyre.

Një rol shumë të rëndësishëm këtu luan edhe stili i prindërimit. Prindërimi mbështetës, i qetë dhe pranues, ku gjuha e nënës flitet me dashuri dhe pa presion, i ndihmon fëmijët ta përjetojnë dygjuhësinë si pasuri. Në të kundërt, kur prindërit janë të pasigurt, të shqetësuar apo kritikë ndaj përdorimit të njërës gjuhë, fëmija mund ta përjetojë komunikimin si detyrë ose si burim stresi. Fëmijët nuk kanë nevojë për përsosmëri gjuhësore, por për siguri emocionale, për të ndjerë se të dyja gjuhët e tyre janë të mirëpritura dhe të vlefshme.

A lidhet dygjuhësia me vonesa në zhvillim apo çrregullime?

Kjo është një nga shqetësimet më të zakonshme të prindërve, veçanërisht atyre që jetojnë në vende ku gjuha e përditshme është ndryshe nga ajo e shtëpisë. Përgjigjja shkencore është e qartë: dygjuhësia nuk shkakton vonesa në zhvillim dhe nuk krijon çrregullime te fëmijët. Fëmijët dygjuhësh mund të zhvillojnë fjalorin dhe strukturat gjuhësore me ritme të ndryshme në secilën gjuhë, por kur të dyja gjuhët merren së bashku, zhvillimi i tyre gjuhësor është i krahasueshëm me atë të fëmijëve njëgjuhësh. Nëse një fëmijë ka nevojë për mbështetje zhvillimore, kjo nevojë ekziston pavarësisht numrit të gjuhëve që ai dëgjon dhe nuk përmirësohet duke hequr njërën prej tyre (Paradis et al., 2021).

Megjithatë, nëse prindërit vërejnë vështirësi të vazhdueshme në të kuptuar, në komunikim, apo në ndërveprim, është e rëndësishme që këto shenja të mos ngatërrohen me faktin që fëmija është dygjuhësh. Kërkimi i ndihmës nga profesionistë të zhvillimit të fëmijës është një hap përpara, jo një shenjë shqetësimi apo dështimi. Mbështetja e hershme ndihmon prindërit të kuptojnë më mirë nevojat e fëmijës dhe t’i japin atij hapësirë të rritet me siguri, në të dyja gjuhët që e formësojnë.

Çfarë fiton një fëmijë që rritet në një mjedis dygjuhësh?

Përtej aspektit gjuhësor, dygjuhësia lidhet me përfitime të rëndësishme njohëse dhe emocionale. Hulumtime shkencore tregojnë se fëmijët dygjuhësh shpesh zhvillojnë fleksibilitet më të madh mendor, aftësi më të mira për ndërrimin e vëmendjes dhe ndjeshmëri më të lartë kulturore (Gunnerud, ten Braak, Reikerås, Donolato, & Melby‑Lervåg, 2020). Për fëmijët e mërgatës shqiptare, gjuha e nënës nuk është vetëm mjet komunikimi, por urë lidhëse me familjen e gjerë, kujtimet, historinë dhe ndjenjën e përkatësisë.

Çfarë roli ka familja në këtë proces?

Prindërit janë modeli kryesor gjuhësor dhe emocional i fëmijës. Nuk kërkohet përsosmëri gjuhësore, por qëndrueshmëri, natyrshmëri dhe lidhje emocionale. Kur shqipja flitet me ngrohtësi, përmes tregimeve, lojës, humorit dhe përditshmërisë, ajo bëhet pjesë e identitetit të fëmijës, jo barrë. Hulumtimet theksojnë se cilësia e ndërveprimit gjuhësor është shumë më e rëndësishme sesa sasia e fjalëve apo korrektësia formale (Hoff, 2013).

Si ta shohim dygjuhësinë si proces, jo si garë?

Zhvillimi gjuhësor nuk ndjek gjithmonë të njëjtin ritëm te të gjithë fëmijët, pavarësisht nëse janë njëgjuhësh apo dygjuhësh. Krahasimet me fëmijë të tjerë shpesh krijojnë ankth të panevojshëm. Qasja bashkëkohore profesionale sugjeron që dygjuhësia të shihet si një udhëtim i vazhdueshëm, ku çdo fëmijë ndërton mënyrën e vet për të qenë pjesë e dy botëve njëkohësisht.

Çfarë mesazhi vlen të mbajmë mend?

Për familjet shqiptare në gurbet, dygjuhësia nuk është pengesë, por një mundësi e çmuar. Kur mbështetet me mirëkuptim, durim dhe dashuri, ajo bëhet burim force, lidhjeje dhe pasurie kulturore. Fëmijët nuk humbin duke mësuar dy gjuhë përkundrazi, fitojnë mënyra të reja për ta kuptuar veten dhe botën.

Të rritësh një fëmijë dygjuhësh larg vendlindjes është një përvojë e bukur, por edhe sfiduese. Nëse ndonjëherë ndiheni të pasigurt, të mbingarkuar ose thjesht dëshironi të kuptoni më mirë se si ta mbështesni zhvillimin gjuhësor dhe emocional të fëmijës suaj, kërkimi i ndihmës profesionale është një hap i rëndësishëm. Në Trekand Psikologji, ofrojmë këshillim të personalizuar për shqiptarët që jetojnë në gurbet, me qasje të ndjeshme kulturore dhe të bazuar në evidencë shkencore. Ne besojmë se çdo fëmijë ka të drejtë të rritet duke u ndjerë i pranuar në të gjitha pjesët e identitetit të tij, përfshirë gjuhën e nënës dhe gjuhën e mjedisit ku jeton.

KëshillaLajmeTerapi
Back To Top