Skip to content

Autizmi dhe familja: aty ku fillon ndryshimi i vërtetë

Çdo 2 prill flasim për autizmin. Shpërndajmë mesazhe, bëjmë thirrje për ndërgjegjësim. Por, për shumë familje, kjo ditë nuk është vetëm simbolike. Është një realitet i përditshëm që nuk ndodh në fushata por në shtëpi.

Sepse zhvillimi i një fëmije me autizëm nuk ndodh vetëm në qendër terapeutike. Ndodh në mëngjes, kur prindi përpiqet të krijojë një rutinë. Ndodh gjatë lojës, gjatë një komunikimi të thjeshtë, gjatë një momenti që për të tjerët duket i zakonshëm.

Dhe pikërisht aty fillon gjithçka: në familje.

Familja si pjesë aktive e ndërhyrjes

Udhëzimet e World Health Organization theksojnë se ndërhyrjet e ndërmjetësuara nga prindërit janë ndër qasjet më efektive për fëmijët me autizëm, veçanërisht për shkak se ato i’u mundësojnë prindërve dhe familijarëve vazhdimësinë e ndërhyrjes në jetën e përditshme. Në të njëjtën linjë, American Academy of Pediatrics rekomandon përfshirjen aktive të familjes si komponent thelbësor të çdo plani trajtimi.

Kur prindërit trajnohen dhe përfshihen drejtpërdrejt në ndërhyrje, vërehen përmirësime të qëndrueshme në komunikim, ndërveprim social dhe reduktim të sjelljeve të papërshtashme. Këto gjetje janë mbështetur nga studime të publikuara në revista me impakt të lartë si The Lancet dhe JAMA Pediatrics, të cilat theksojnë se modelet më efektive janë ato që e trajtojnë familjen si partner aktiv në proces. Zhvillimi i fëmijës nuk ndodh vetëm gjatë seancave terapeutike, por në ndërveprimet e përditshme, aty ku familja ka rolin më të qëndrueshëm dhe më ndikues.

Pse mjedisi familjar është vendimtar?

Qasjet bashkëkohore, si ndërhyrjet natyraliste zhvillimore, të zhvilluara nga studiues si Sally J. Rogers, theksojnë rëndësinë e mjediseve natyrore si shtëpia për zhvillimin e aftësive. Fëmijët kanë më shumë gjasa të përvetësojnë dhe përdorin aftësi të reja kur ato mësohen dhe praktikohen në kontekstin e përditshëm.

Ky parim mbështetet edhe nga teoritë klasike të zhvillimit, si ajo ekologjike e Urie Bronfenbrenner, e cila e sheh zhvillimin e fëmijës si rezultat të ndërveprimit të vazhdueshëm me mjedisin më të afërt, në radhë të parë familjen.

Realiteti në Kosovë: një nevojë e theksuar për mbështetje familjare

Në Kosovë, sfidat mbeten të dukshme. Mungesa e shërbimeve të mjaftueshme, qasja e kufizuar në ndërhyrje të hershme dhe mbështetja e pamjaftueshme për prindërit krijojnë një barrë të madhe mbi familjen.

Në shumë raste, prindërit janë ata që mbajnë rolin kryesor në mbështetjen e fëmijës, shpesh pa udhëzim të strukturuar profesional. Kjo e bën edhe më të rëndësishme zhvillimin e modeleve që nuk fokusohen vetëm te fëmija, por që fuqizojnë të gjithë sistemin familjar.

Një qasje e integruar në praktikë

TrekandPsikologji, nën udhëheqjen e psikologes së licencuar Mendime Kosumi që nga viti 2018, aplikon një model të tillë përmes shërbimeve terapeutike me bazë në shtëpi.

Kjo qasje përfshin një dimension të dyfishtë: punën terapeutike me fëmijën dhe këshillimin praktik për prindërit dhe familjen. Në këtë mënyrë, ndërhyrja nuk mbetet e kufizuar në seanca të izoluara, por shtrihet në jetën e përditshme të fëmijës, duke krijuar mundësi për zhvillim të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm.

Kjo nënkupton që:
fëmija merr trajtim në mjedisin e tij natyror
prindi mëson në praktikë, jo vetëm në teori
familja bëhet pjesë aktive e procesit

 

Një model i tillë është në përputhje të drejtpërdrejtë me rekomandimet ndërkombëtare për ndërhyrje të bazuara në familje, të cilat theksojnë rëndësinë e fuqizimit të prindërve si pjesë aktive e procesit.

Në Ditën Ndërkombëtare të Autizmit, mesazhi që del nga evidenca shkencore është i qartë: përfshirja e familjes nuk është një element shtesë, por një komponent thelbësor i çdo ndërhyrjeje efektive.

Nëse synohet një qasje reale gjithëpërfshirëse, është e nevojshme të kalohet nga një model i fokusuar vetëm te fëmija, në një model që mbështet dhe fuqizon familjen si tërësi.

Sepse zhvillimi i një fëmije me autizëm nuk ndodh në izolim. Ai ndodh në marrëdhënie, dhe marrëdhënia më e rëndësishme është ajo me familjen.

Për të mësuar më shumë rreth metodave të bazuara në familje, ose për një konsultë fillestare, kontaktoni TrekandPsikologji në: +383 44 123 456

KëshillaLajmeNgjarjeTerapi
Back To Top