Mendime Kosumi është psikologe me 10 vite eksperiencë me personat me autizëm. Për të, ky nuk ka qenë vetëm profesion, por një mision profesional. Një rrugë me sfida, por edhe me mijëra momente të paharrueshme, të mbushura me emocione, mësime dhe dashuri.
Një dekadë përkushtim, zhvillim dhe ndikim
Gjatë këtyre dhjetë viteve, ajo ka kaluar mijëra orë terapeutike me persona me autizëm, duke ndjekur ritmin e tyre, duke i dëgjuar pa fjalë, dhe duke mësuar prej tyre më shumë sesa ç’mund të mësonin manualet profesionale. Ka qenë pranë tyre jo vetëm në ambiente të strukturuara, por edhe në parqe, shtëpi, edhe çdo vend tjetër ku ishte nevoja që fëmijët të kalojnë sfidat e zhvillimit të tyre.
Kosumi ka punuar ngushtë me prindër që luftojnë çdo ditë për të drejtat e fëmijëve të tyre. Mijëra orë të kaluara në mbështetje dhe terapi familjare kanë treguar se rruga drejt përmirësimit fillon me një prind të mbështetur, që ndjehet i fuqizuar dhe i kuptuar.
Ajo ka qenë pjesë e dhjetëra projekteve për vetëdijesim, përmirësim të qasjes në shërbime, trajnime dhe zhvillim profesional. Në shumë prej tyre, jo vetëm si pjesëmarrëse, por edhe si menaxhere dhe udhëheqëse. Ka pasur nderin të formojë profesionistë të rinj, të trajnojë edukatorë, prindër, kujdestarë, asistentë, të gjithë pjesë e zinxhirit që bëjnë ndryshimin e nevojshëm në jetën e një fëmije me autizëm.
Edukim, trajnime dhe mentorim
Trajnimi dhe edukimi kanë qenë një tjetër shtyllë e punës së saj. Si trajnere për profesionistë të rinj, Mendime Kosumi ka ndihmuar në ndërtimin e një rrjeti të gjerë të mbështetjes terapeutike që vazhdon të zgjerohet çdo vit. Ka trajnuar prindër dhe kujdestarë për t’i fuqizuar ata në rolin e tyre të pazëvendësueshëm, por edhe edukatorë dhe asistentë të fëmijëve me autizëm që e jetojnë çdo ditë këtë realitet në institucionet arsimore.
Roli drejtues dhe krijues
Në këto vite ajo ka udhëhequr dhe mbikëqyrur qindra plane terapeutike individuale, gjithnjë të ndërtuara mbi potencialin dhe nevojat e secilit fëmijë. Ka qenë e përfshirë në mbikëqyrjen e shërbimeve terapeutike për qindra fëmijë dhe staf profesional, duke siguruar cilësinë dhe progresin e vazhdueshëm të tyre.
Nga ky përkushtim lindi edhe “Trekand“, një platformë që ofron shërbime terapeutike në shtëpi, aty ku është më natyrshëm dhe më ndjeshëm të ndodhë progresi. Trekand është jo vetëm një ide, por një filozofi pune që ka për qëllim ndërtimin e urave mes botës së fëmijës dhe botës sonë. Si themeluese dhe krijuese e kësaj platforme, Kosumi ka hartuar edhe materiale të shumta pune që ndihmojnë në punën praktike dhe të personalizuar me personat me autizëm.
10 vite me autizmin – më shumë se punë
Videoja që ajo ndan sot është një reflektim emocional dhe profesional. Një ndalesë e vogël në një rrugë të thellë. Për të falënderuar çdo fëmijë për buzëqeshjen, çdo prind për besimin, dhe çdo bashkëpunëtor për rrugëtimin.
Ajo në radhë të pare duhet të bëhet, me dashuri, durim dhe pranim. E kjo dashuri, përkushtim dhe dije do të vazhdojë të jetë thelbi i çdo dite timen, për aq kohë sa ekziston nevoja.
Faleminderit që jeni pjesë e këtij rrugëtimi!’